Zelanda e Re ka njoftuar një plan drastik: eliminimin e të gjitha maceve endacake në natyrë deri në vitin 2050, me qëllim mbrojtjen e biodiversitetit unik të vendit. Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Mjedisit, Tama Potaka, e cila konfirmoi se macet e egra tani janë përfshirë zyrtarisht në strategjinë “Pa grabitqarë 2050”.

Kjo strategji, e hartuar rreth 10 vite më parë, ka si objektiv zhdukjen e grabitqarëve si ferretat, nuselalat, minjtë dhe oposumët, të cilët kanë dëmtuar rëndë faunën vendase. Tani, në këtë listë i janë shtuar edhe macet endacake, një vendim që pritet të ndezë më tej debatet me aktivistët për të drejtat e kafshëve, të cilët edhe më herët kanë reaguar ashpër ndaj planeve të ngjashme.

Sipas raportimeve, në Zelandën e Re enden mbi 2.5 milionë mace endacake. Ato mund të arrijnë deri në një metër gjatësi (me gjithë bisht) dhe deri në 7 kg peshë.

Ministrja Potaka i quajti “vrasëse me gjak të ftohtë”, duke theksuar se në shumë zona ato kanë shkatërruar jetën e egër dhe kanë çuar disa specie deri në prag të zhdukjes.

Aktualisht, në disa rajone macet endacake tashmë kapen dhe vriten, por qeveria synon ta kthejë këtë në një përpjekje shumë më të koordinuar në nivel kombëtar.

Macet shtëpiake nuk përfshihen në program, por edhe ato konsiderohen një kërcënim serioz për biodiversitetin, sidomos kur lihen të dalin lirshëm jashtë.

Kjo ka ndezur një debat të madh publik në një vend ku njerëzit i duan macet, Zelanda e Re është ndër vendet me normat më të larta të maceve shtëpiake në botë, ndërkohë që rregullat mbi pronësinë dhe menaxhimin e tyre mbeten ende të paqarta.