Një prej kafeneve më të njohura të Venecias, Caffé del Doge, ka kaluar tashmë në duart e investitorëve shqiptarë, duke shënuar një tjetër ndryshim pronësie në sektorin historik të gastronomisë së qytetit lagunor.
Lokali, i vendosur pranë zonës së famshme të Rialtos dhe i frekuentuar prej vitesh nga banorët vendas dhe turistët, i bashkohet listës së bizneseve tradicionale veneciane që gjatë viteve të fundit kanë ndryshuar pronarë.
Transferimi i pronësisë u formalizua së fundmi, ndërsa ish-pronari venecian Giuliano Matticari ka garantuar se identiteti i kafenesë do të mbetet i pandryshuar. Sipas tij, aktiviteti do të vazhdojë normalisht, pa ndryshime në staf apo në filozofinë që e ka bërë lokalin të njohur ndër vite.
Mediat italiane raportojnë se Matticari, një figurë e njohur në lagjen San Polo prej më shumë se dy dekadash, shpreson që tradita dhe atmosfera karakteristike e Caffé del Doge të ruhen edhe nën administrimin e ri.
Fenomeni i kalimit të bizneseve historike te investitorët e huaj është bërë gjithnjë e më i pranishëm në Venecia. Sipas mediave italiane, shumë sipërmarrje familjare që nuk trashëgohen nga brezat pasardhës përballen me dy alternativa: shitjen ose mbylljen e aktivitetit.
Në këtë realitet të ri ekonomik, investitorët e huaj po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm, pasi shpesh janë ata që disponojnë kapitalin e nevojshëm për të marrë në administrim dhe për të mbajtur në funksion emra historikë të gastronomisë dhe mikpritjes italiane.
