Fituesja e “Big Brother VIP 3”, Egla Ceno, ka ndarë një koment në rrjetet sociale pas përfundimit të edicionit të katërt të reality show-t, ku fitues u shpall Gjesti.

Aktorja e njohur ka qenë një ndër personazhet që e ka komentuar shpesh rrugëtimin e tij, duke shprehur mbështetje, por edhe duke ngritur kritika.

Në një postim të bërë në “Instastory”, Egla thekson se ka alergji ndaj maskave, prandaj ka përkrahur Gjestin, të cilin e konsideron si “të keqen më të vogël” të këtij edicioni.

“Unë kam alergji ndaj maskave, prandaj kam mbështetur atë djaloshin në BBV. Ai ishte e ‘keqja’ më e vogël në këtë edicion. Fatkeqësisht, shoh përtej dhe them që edhe ai shumë shpejt do të shndërrohet në një maskë”, shkroi Egla, e cila më pas vijoi duke nënvizuar:

“Duhet shtyllë kurrizore për t’i rezistuar reflektorëve. Fytyrën nuk t’a jep shkolla, por shkolla të bën njeri! Kam thënë çfarë kam thënë”.

Kujtojmë se Egla e ka shprehur më parë publikisht pëlqimin për Gjestin gjatë qëndrimit të tij në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, duke e cilësuar si një frymë të re në një ambient që, sipas saj, ishte kthyer në “azil pleqsh”.

Kjo deklaratë vjen pas një sezoni të nxehtë dhe të komentuar, ku Gjesti arriti të fitojë zemrat e publikut dhe çmimin e madh prej 100 mijë euro.