Tyler Mane, aktori i njohur për rolin e Sabretooth në filmin “X-Men”, ka ndarë me publikun një lajm të vështirë për shëndetin e tij, duke zbuluar se është diagnostikuar me një formë shumë të rrallë të kancerit të gjirit tek meshkujt.

Aktori 59-vjeçar e bëri të ditur diagnozën përmes një videoje emocionale të publikuar në rrjetet sociale, ku tregoi se kishte nisur zyrtarisht trajtimin me kimioterapi.

Kam disa lajme të këqija. Sot filloj kimioterapinë

-u shpreh ai para ndjekësve të tij.

Ish-ylli i mundjes profesionale shpjegoi se kanceri i gjirit te burrat është shumë i rrallë dhe prek një numër të vogël meshkujsh gjatë jetës së tyre. Pikërisht për këtë arsye, sipas tij, sëmundja shpesh diagnostikohet vonë, duke e bërë trajtimin më të vështirë.

Flitet shumë pak për këtë sëmundje te burrat dhe për këtë arsye zakonisht zbulohet në faza më të avancuara. Dua të ndihmoj që kjo të ndryshojë

-tha Mane.

Aktori u bëri thirrje ndjekësve të tij që të shpërndajnë historinë e tij, me shpresën se më shumë njerëz do të informohen për rrezikun që ekziston edhe për meshkujt.

Ejani me mua në këtë rrugëtim për ta mposhtur këtë sëmundje. Njerëzit duhet të dëgjojnë dhe të ndërgjegjësohen

-u shpreh ai.

Në fund të videos, Mane publikoi pamje nga spitali gjatë seancës së parë të kimioterapisë, duke treguar vendosmërinë e tij për të luftuar sëmundjen.

Dreqi ta hajë kancerin!

-tha ai me vendosmëri.

Në mesazhin shoqërues të postimit, aktori theksoi se fillimisht kishte menduar ta mbante private diagnozën, por më pas vendosi të fliste publikisht për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për një sëmundje që shumë njerëz nuk e lidhin me meshkujt.

Rrëfimi i tij ka prekur mijëra fansa, të cilët kanë mbushur rrjetet sociale me mesazhe mbështetjeje dhe urime për shërim të shpejtë.

Tashmë, Tyler Mane ka vendosur ta përdorë betejën e tij personale jo vetëm për të luftuar sëmundjen, por edhe për të informuar dhe inkurajuar të tjerët që të mos neglizhojnë shenjat paralajmëruese, pavarësisht gjinisë.