Aktorja fituese e Oscar-it, Lupita Nyong’o, ka zbuluar për herë të parë betejën e saj dhjetëvjeçare me fibromat e dhimbshme të mitrës, duke treguar se ka pasur “më shumë se 50” tumore jo-kanceroze dhe se për vite me radhë është ndier e turpëruar dhe e vetmuar.
42-vjeçarja u diagnostikua në vitin 2014, në të njëjtin vit kur fitoi Çmimin e Akademisë për rolin në “12 Years a Slave”. Ndërsa karriera e saj ishte në kulm, ajo po përballej në heshtje me një problem serioz shëndetësor.
Fibromat janë tumore jo-kanceroze që rriten në mitër dhe mund të shkaktojnë menstruacione të rënda e të dhimbshme, dhimbje në bark dhe në pjesën e poshtme të shpinës, urinim të shpeshtë, kapsllëk dhe dhimbje gjatë marrëdhënieve intime.
Aktorja iu nënshtrua një operacioni ku iu hoqën 23 fibroma, por ato u rikthyen.
Dy vjet më parë më thanë se kisha mbi 50.
Sipas saj, mjekët shpesh i krahasojnë me fruta për të përshkruar madhësinë:
Fibroma juaj mund të jetë sa një rrush. E imja më e madhe ishte sa një portokall.
Duke folur në Today, Lupita pranoi se pas diagnozës ndjeu turp dhe frikë për shëndetin e saj riprodhues.
Mendova: çfarë bëra që i shkaktova këto? U ndjeva shumë e vetmuar
Tashmë ajo po përballet me një tjetër vendim të vështirë: një ndërhyrje tjetër kirurgjikale ose të jetojë me dhimbjen.
Nuk jam gati ta marr këtë vendim. Është invazive dhe një kërcënim për organet riprodhuese
Përtej rrëfimit personal, Lupita njoftoi nisjen e fushatës “Make Fibroids Count” në bashkëpunim me Women’s Health Foundation, duke premtuar 200 mijë dollarë për kërkime mbi trajtime më pak invazive. Ajo po punon gjithashtu me anëtarë të Kongresit për të shtyrë përpara iniciativa që rrisin financimin për kërkime mbi këtë gjendje.
