I ftuar në emisionin “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin ka qenë doktori i njohur Altin Veshti, i cili ka analizuar me detaje gjithçka rreth kujdesit që ne duhet të kemi për të pasur një zemër të shëndetshme dhe jo vetëm kaq…

Prof. Dr. Altin Veshti një prej emblemave të kardiokirurgjisë në vendin tonë, është një mjek i cili punon në të gjithë botën por zgjedh të qëndrojë në Shqipëri duke dhënë kontributin e tij në fushën e kardiokirurgjisë.

Gjatë intervistës, Ilvi u ndal te shqetësimi në rritje i popullatës lidhur me infarktet dhe arrestet kardiake, veçanërisht rastet që po raportohen te moshat më të reja. Ai e pyeti Prof. Dr. Veshtin nëse kemi të bëjmë realisht me një rritje të rasteve dhe nëse ka arsye për t’u shqetësuar, i cili u përgjigj duke thënë:

Sëmundja, le të themi ishemia, ishemia e zemrës, pra sëmundja e arterieve koronare të zemrës. Duhet ta them tashmë, sepse unë gjithmonë kam qenë i idesë që është shtuar diagnoza. Sigurisht që është shtuar diagnoza, sepse aktualisht ne kemi katër qendra publike, pra Shkodra, Fieri, Sanatoriumi dhe Qendra Spitalore Universitare, që bëjnë diagnoza pa u ndalur, koronarografi që bëhen në të gjitha këto qendra. Ka edhe disa qendra private që bëjnë diagnoza dhe, duke u shtuar qendrat që diagnostikojnë në detaj, të krijohet ndonjëherë imazhi ose ideja e rreme se është shtuar numri i pacientëve të sëmurë.

Këto raste kanë qenë, por ajo që duhet konfirmuar është se është ulur mosha. Mosha po ulet gjithmonë e më shumë. Unë dua të them që vitin e kaluar kam operuar një djalë 41 vjeç me bypass dhe mosha 50 deri në 60 vjeç tashmë po kthehet në rutinë. Gjithmonë kemi një pacient që ndodhet në këtë fashë, 50-60 vjeç.

Për sa u përket bypass-eve, janë pacientë që vijnë me infarkte, duke kaluar një infarkt ose, edhe pa e kaluar atë, kanë ardhur me dhimbje gjoksi. Ajo që quhet ‘angina pectoris’ diagnostikohet gjithmonë e më shumë dhe ne mundohemi të punojmë pa u ndalur. Në qendrën tonë jemi gjashtë kirurgë që punojmë. Nuk është se ka dyqind të tillë.

Edhe kur njerëzit thonë: ‘Po pse nuk bëhen kaq shumë?’, duhet kuptuar se për të përgatitur një kirurg të këtij niveli duhen 20 vjet punë, derisa të arrijë të zgjidhë problemin, të marrë vendime, të jetë i pavarur, të shpëtojë pacientin dhe të dijë momentin kur duhet ta fusë pacientin në operacion. Nuk është se bëhen menjëherë. Një mjek kardiolog mbaron specializimin pas katër viteve, ndërsa kardiokirurgjia është ndryshe nga të gjitha kirurgjitë e tjera. Është pak a shumë si neurokirurgjia, që është shumë specifike.