“Kam pasur vështirësi të mëdha me peshën. Është një temë shumë e ndjeshme për mua dhe më ka shoqëruar për shumë vite”.
Kështu është shprehur Selena Gomez teksa ka folur hapur për sfidat që ka përjetuar ndër vite për shkak të komenteve fyese që lidhen me trupin dhe peshën e saj.
Gjatë një interviste të dhënë së fundmi, aktorja dhe këngëtarja amerikane ka zbuluar se fyerjet e vazhdueshme për pamjen e jashtë e kanë bërë të ndihet shpesh e pasigurt.
Një koment i vetëm, sipas Gomez, ka qenë i mjaftueshëm për t’i lënë pasoja emocionale.
“Më lëndoi shumë dikush që më tha se isha e shëndoshë. Më la me një ndjesi që nuk mund ta përshkruaj”, ka thënë artistja.
Për të përballuar këtë ngarkesë emocionale, Selena ka treguar se përdor terapinë dialektike të sjelljes (DBT), një qasje psikoterapeutike që ndihmon personat me emocione të thella dhe të vështira për t’u menaxhuar.
Aktorja dhe këngëtarja thekson se ky proces kërkon shumë përkushtim, por është i domosdoshëm për mirëqenien mendore.
Ylli i muzikës pop është diagnostikuar me lupus në vitin 2014, një sëmundje autoimune që ndikoi ndjeshëm në shëndetin e saj dhe çoi në një transplant të veshkës. Po ashtu, ajo ka folur publikisht për përjetimin e çrregullimit bipolar, si dhe për betejat me ankthin dhe depresionin.
Duke ndarë përvojat e saj, ajo synon të normalizojë bisedat për shëndetin mendor dhe të inkurajojë të tjerët të kërkojnë ndihmë pa ndjerë turp.
“Askush nuk është vetëm në këtë rrugëtim”, përfundoi artistja.