Këngëtarja Aroilda Albrahimi ishte mëngjesin e sotëm e ftuar në emisionin “Wake Up”, ku foli për projektin e saj më të ri muzikor, por edhe për hapat e ardhshëm në karrierën e saj.
Vetëm pak javë më parë, ajo ka publikuar këngën e saj që mban titullin “Akoma pres”, e cila tashmë është pjesë e “The Top List”.
Pjesë nga intervista:
Rikthehesh pas shumë kohësh sërish në “The Top List” me një projekt të ri, si ndihesh për këtë?
Rikthehem pas 4 vitesh, kur u publikua kënga e kisha synim që ta fusja në “The Top List”. I thashë mikeshave që ta votonin. Kur nuk u fut javën e parë u mërzita pak dhe thashë që nuk qenka pëlqyer. Të shtunën e ardhshme vetëm kur më vjen një tag nga Top Awards dhe pashë që ishte bërë pjesë e listës. Mora mamin në telefon direkt dhe u gëzua shumë.
Kënga mban titullin “Akoma pres”, për çfarë po pret?
Po pres një verë me shumë koncerte.
Si erdhi kënga?
Teksti dhe kënga nuk janë prodhim i imi por i Irkenc Hykës. Pavarësisht se është këngë dashurie, kur e kam regjistruar ka qenë verë, vjet. Kisha pak muaj që kisha humbur gjyshen dhe e përjetova në këtë mënyrë dhe e ndjeva afër vetes. Në klip ka pasur dhe një moment që kam lotuar. Kanë qenë këto mendime në kokë atë momente.
Si u zbulua talenti yt në muzikë?
Fillimisht që më kanë zbuluar talentin ishte në Laç në Pallatin e Kulturës. Kur erdha në Tiranë mora pjesë në kurse private të kantos. Unë merrem me Menaxhim Marketingu në profesionin tim dhe deri diku edhe kanë edhe nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Marketingu është shumë kreativ, do pak art aty. Kur performoja live më kanë ndihmuar afësitë menaxheriale.
Sa e vështirë është të sjellësh projekte në këtë tregun tonë muzikor?
Tregu është i vështirë. Jam munduar të sjell projekte të mira që në të ardhmen të jem e lumtur me ato që kam sjellë.
Pse kjo zgjedhje e jotja që të vish vetëm me balada?
Nuk e di pse ka ardhur kështu, por dhe njerëzit i kanë qejf këto këngët e vuajtura.