I ftuar në “A je bre normal?” nga Meriton Mjekiqi, ishte Bardhi, që tregoi të pathëna që nga jeta e tij e re si baba, te karriera dhe vështirësitë që ka hasur…
Pjesë nga intervista:
Meritoni: Si është ndjesia e të qenurit baba?
Bardhi: Kam menduar që do të jem shumë më i papërgatitur, dy javët e para kanë qenë pak më të vështira, duke u adaptuar me një fëmijë në shtëpi. 27 vjet pa fëmijë, e tani me një fëmijë që ka kërkesat e veta. Por e kemi kaluar shumë mirë, ato dy javët e para kemi mësuar se çfarë të bëjmë. Kisha pak problem për shembull kur ajo flinte si engjëll, unë i vendosja gishtin te hunda për të parë a po merr frymë (qesh). Deri sa u mësuam. Unë kam qenë dhe në sallë kur ka lindur. Kam menduar se isha më frikacak, por jo. Tani kur dal që shkoj në studio, mezi pres që të kthehem në shtëpi.
Meritoni: A është dashur që të ndryshosh stilin e jetesës pas lindjes në Neas?
Bardhi: Në disa gjëra po. Nëse dikur dilja, tani nuk dal, më mirë rri me vajzën time se kënaqem. Por në studio vazhdoj shkoj njësoj. Çdo ditë rri 3 deri në 6 orë në studio. Është orar pune, edhe nëse ato 6 orë shkruaj vetëm 2 stofa, por e di që kam punuar.
Meritoni: Çfarë domethënie ka emri i vajzës, Nea?
Bardhi: Ideja fillimisht ishte e Sarës. Ne kishim një listë emrash që kishim qejf. Në greqisht do të thotë “e re”, në arabisht do të thotë “dhuratë e frytshme e Zotit”, kështu që e kemi lidhur.
Meritoni: Ke pasur më shumë qejf të kishe vajzë apo djalë?
Bardhi: Më herët kam pasur qejf që fëmijën e parë ta kisha djalë. Por kur ma dha Sara testin e shtatzënisë, mendova ishalla është vajzë. Nuk e di pse.