Futbollisti i njohur brazilian Hulk, 39 vjeç, ka kurorëzuar me martesë lidhjen e tij me Camila Angelo, një histori që prej vitesh ka ngjallur polemika të forta në opinionin publik. Ceremonia fetare u zhvillua në një atmosferë pribate, por detaji që vazhdon të tronditë është fakti se Camila është mbesa e ish-bashkëshortes së tij, Iran Angelo.
Hulk dhe Camila janë në një lidhje prej rreth katër vitesh, ndërsa ajo është vetëm dy vite më e re se Iran. Çifti tashmë ka një fëmijë së bashku, i lindur dy vite më parë dhe aktualisht janë në pritje të një tjetër djali. Me këtë lindje, Hulk do të bëhet baba për herë të pestë.

Nga martesa e tij 12-vjeçare me Iran Angelo, futbollisti ka tre fëmijë. Pikërisht kjo martesë përfundoi pasi Hulk u afrua me Camilan, një zhvillim që, sipas Iranit, i shkaktoi një nga plagët më të mëdha të jetës së saj. Pas një heshtjeje të gjatë, Iran Angelo reagoi për mediat portugeze, duke rrëfyer dhimbjen e thellë që vazhdon të ndiejë edhe sot.
Ajo deklaroi se tradhtia nuk erdhi vetëm nga bashkëshorti, por edhe nga njeriu që e konsideronte si vajzën e saj. “Është sikur të kem varrosur një vajzë të gjallë. Dhimbja është shumë e madhe, ndonjëherë mendoj se do të më shkulin zemrën. Ajo ishte si vajza ime. I dhashë gjithçka: dashuri, përkushtim, vëmendje dhe respekt.”-u shpreh ajo mes emocionesh. Ndërkohë, Hulk vazhdon karrierën e tij sportive në Brazil, ku aktualisht aktivizohet me Atletico Mineiro.




