I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë instruktori i palestrës Remil Peqini. Ai ka folur më shumë për kujdesin që duhet të tregojmë këtë periudhë festash, si t’i rezistojmë ëmbëlsirave, por gjithashtu ai ka komentuar edhe banorët e “Big Brother VIP 5″…

Pjesë nga intervista:

Çfarë ndodh në janar në palestër? A është e njëjta dyndje si në shtator pas pushimeve?
Ka dy dyndje në palestra. Është shatotori dhe maji përpara plazhit. Por shikoj që këta të janarit, fillojnë e bëjnë disa abonime një-vjetore dhe nuk shkojnë më shumë se dy ditë. Kam vënë re që të gjithë njerëzit që bëjnë abonime vjetore, nuk shkojnë në palestra. Është e kundërta, ata që bëjnë abonime mujore, ata vijnë më shpesh në palestër. Ata që bëjnë abonime vjetore, vijnë shumë, shumë rrallë. Kjo është e vërteta e palestrave. Mendoj që ndonjëherë edhe nuk kanë motivim, sepse nëse ti shikon rezultate që fillim të vitit, të muajit apo të ditëve të para të palestrës, palestra ty do të të pëlqejë, ti do shkosh me qejf në palestër. Është efekti që ti merr në palestër, që të bën ty të shkosh.
Me sa kilogramë plus vijnë njerëzit në palestër pas pushimeve?
Nga data 25 dhjetor deri në janar, mund të kenë shtuar minimalisht 3, 4, 6 kilogramë, varet sa konsumojnë. Ka metabolizëm që mund të shtojnë shumë shpejt, ka dhe metabolizëm që nuk shtojnë. Unë jam një nga ata që mund të ha çfarë të dua dhe nuk shtoj peshë.

Është me masë muskulare. Duhet të dini që muskuli është si makineri, kërkon energji gjatë gjithë kohës. Nëse ti nuk jep sasinë e duhur të proteinave, karbohidrateve dhe energjisë, ai do të fillojë të humbë. Sa më shumë masë muskulare të keni, aq më shumë do harxhoni, trupi fillon e harxhon energji edhe në gjumë. Ti mund të zgjohesh edhe gjysmë kilogramë më pak në mëngjes, nëse ti ke një metabolizëm shumë të shpejtë. Nëse ke metabolizëm të ngadaltë, padiskutim që përkthehet në peshë dhe e kanë shumë të vështirë të humbasin dhe shtojnë shumë shpejt. Por mendoj që metabolizmi ndryshon. Nëse ti fillon të stërvitesh dhe e ke këtë gjë konstante, gjatë gjithë kohës, ti do formosh masë muskulare dhe ai muskuli do të kërkojë ty që të djegësh më shumë kalori. Ajo se çfarë duhet të bëjnë njerëzit, sidomos nëse duan të hanë të gjithë gjërat që pëlqejnë, të shtojnë masë muskulare dhe të mos ta kenë shumë stres atë pjesën e peshës. /TAR/