Kanye West përballet me një padi prej 23 milionë dollarësh nga një ish-punonjës i Donda Academy, i cili pretendon se është diskriminuar për shkak të flokëve të tij dhe se është pushuar padrejtësisht nga puna.

Benjamin Provo, i cili ka punuar si roje sigurie në Donda Academy, ka ngritur padi kundër West, kompanisë së tij Yeezy LLC dhe Donda Academy Incorporated. Sipas dokumenteve gjyqësore, ai pretendon se gjatë vitit 2022 iu kërkua të priste dreadlocks-ët dhe se u pushua pasi refuzoi.

Provo, i cili është me ngjyrë dhe mysliman, deklaron se i kishte mbajtur dreadlocks-ët për më shumë se një dekadë dhe se i konsideronte ato pjesë të rëndësishme të identitetit të tij kulturor dhe fetar. Në dokumentet e gjykatës, ai pretendon se West dhe ekipi i tij nuk e pëlqenin modelin e flokëve dhe i kërkuan të rruante kokën.

Padia ishte paraqitur fillimisht në prill të vitit 2024, ndërsa çështja pritet të shkojë në gjyq muajin e ardhshëm.

Në dokumentet gjyqësore përmenden edhe deklarata të ish-bashkëpunëtorit të West, Milo Yiannopoulos, lidhur me kulturën e punës në Yeezy dhe diskutimet mbi racën, fenë dhe gjuhën e përdorur brenda organizatës.

Ndërkohë, përmes ekipit të tij ligjor, Kanye West ka mohuar të gjitha pretendimet e ngritura nga Provo.