Pak ditë pas përvjetorit të parë të dasmës së tyre, princi William dhe bashkëshortja e tij e adhurueshme, Kate i janë kthyer jetës publike, por si gjithmonë është dukesha e Kembrixhit ajo që tërheq më shumë vëmendjen e mediave, të cilat nuk lënë rast pa u marrë me të. E qeshur si përherë, Kate u paraqit në një darkë gala me një fustan të bardhë të gjatë, që i dha vërtetë shumë hijeshi. Ajo që binte më tepër në sy ishte e çara e fustanit të Kate, disi larg stilit të saj të zakonshëm apo ‘protokollit’ mbretëror, që i nxirrte në pah këmbët e nxira nga dielli, mesa duket gjatë pushimeve të fundit që çifti ka kaluar me rastin e përvjetorit të parë të martesës së tyre.


Çifti mbretëror ishin në hotel Claridge, në Mayfair, në një takim në ‘Thirty  Club’, pjesëmarrës të të cilit janë përfaqësues shumë të fuqishëm të botës së biznesit dhe reklamave. Klubi në fjalë është themeluar që në vitin 1905 dhe darkat e përmuajshme të pjesëtarëve të tij janë një mënyrë e zgjedhur nga anëtarët, kryesisht biznesmenë shumë të fuqishëm dhe njerëz të rëndësishme, për të diskutuar mbi çështje të mëdha apo nënshkruar kontrata të ndryshme.


9 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)