Një nga kinematë e Tiranës anuloi përkohësisht shfaqjen e filmit vizatimor “Strange World”, ku personazhet kryesorë janë dy djem të vegjël, që dashurohen me njëri-tjetrin.

Aleanca për Mbrojtjen e Familjes dhe Jetës, kundërshton transmetimin e filmit në Shqipëri, pasi e cilësojnë si të papërshtatshëm për grupmoshat e reja.

Kjo nuk është pranuar nga komuniteti LGBTI dhe mbështetës të këtij komuniteti. “Strange World” është një film vizatimor, që tregon aventurën e një grupi familjar dhe miqsh, në zbulimin e një bote të re.

Në qendër të filmit të përkthyer edhe në shqip, janë dy djem të vegjël që dashurohen me njëri-tjetrin. Ky subjekt i pranishëm në film, ka sjellë edhe reagimin e Aleancës për Mbrojtjen e Familjes dhe Jetës.

Kjo temë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në lidhje “Skype” ishin Linda Pano, përfaqësuese e Koalicionit “pro familjes” dhe Altin Hazizaj, drejtor i CRCA ( në mbrojtje te komunitetit).

Madje mes dy të ftuarve pati edhe një debat, ku nuk munguan as ofendimet, duke qenë se mendimet i kishin të ndryshme.

Sipas Hazizajt, Shqipëria është vend demokratik dhe nuk ka pse të ndalohet filmi të jepet në kinema. Këtu ndërhyn Pano, e cila i thotë atij se duhet të mbrojë të drejtat e fëmijëve.

Debati në studio:

Pano: Altin mos kalo në ofendime

Hazizaj: As nuk më njeh, as nuk të njoh, të lutem mbaj distancën, mos më thuaj Altin, po Hazizaj. Ke probleme serioze të sjelljes, nuk e di ku je mësuar, nuk jemi në kafaz këtu

Pano: Duhet të mbrosh të drejtat e fëmijëve.

Hazizaj: A ka mundësi ta ndaloni atë zonjës që po flet tani

Erjona Rusi: Linda është pjesë e koalicionit që ka bërë reagimin dhe kinemaja ka ndaluar filmin

Hazizaj: Një kinema nuk mund ta ndalojë filmin.

Pano: Janë modele Altin

Hazizaj: Më mirë ai model, se sa të shohin ty