Aktori i njohur hollivudian Keanu Reeves ka dalë publikisht në mbështetje të regjisorit Carl Rinsch, i cili u shpall fajtor për përvetësimin e miliona dollarëve të destinuara për një projekt të Netflix.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, ylli i “John Wick” i ka dërguar një letër gjykatës federale në New York, ku kërkon që ndaj regjisorit të ketë “mëshirë dhe mirëkuptim” gjatë vendimit përfundimtar të dënimit.

Carl Rinsch, i cili ka bashkëpunuar me Reeves në filmin “47 Ronin”, u shpall fajtor në fund të vitit 2025 për mashtrim financiar dhe pastrim parash.

Hetimet zbuluan se ai kishte përdorur rreth 11 milionë dollarë të akorduara nga Netflix për realizimin e serialit “White Horse”, por fondet dyshohet se u shpenzuan për luks personal dhe investime të rrezikshme financiare.

Sipas prokurorëve, paratë janë përdorur për blerje makinash luksoze, orësh të shtrenjta, mobilie, pagesa kartash krediti dhe investime në kriptovaluta, ku një pjesë e konsiderueshme e shumës përfundoi e humbur.

Në letrën e tij drejtuar gjykatës, Keanu Reeves shprehet se e njeh prej vitesh regjisorin dhe se e konsideron një artist me talent të jashtëzakonshëm.

Aktori thekson se nuk po justifikon veprimet e tij, por beson se Carl Rinsch është një person që shpesh e dëmton vetveten për shkak të ambicieve të mëdha artistike.

Reeves zbuloi gjithashtu se kishte parë një version të papërfunduar të serialit “White Horse”, të cilin e përshkroi si një projekt “kreativ dhe vizionar”.

Ndërkohë, vendimi për dënimin e regjisorit pritet të shpallet në fund të qershorit, teksa Netflix po kërkon rikuperimin e miliona dollarëve të humbura.