“Killing Me” është projekti më i ri muzikor nga Alban Chela dhe Tiri Gjoci. Dy këngëtarët e njohur bashkuan forcat për të sjellë një këngë e cila menjëherë ka rrëmbyer zemrat e publikut dhe të depërtojë thellë brenda tij.

Albani dhe Tiri ishin mëngjesin e sotëm të ftuar në emisionin “Wake Up”, ku kanë folur më shumë në lidhje me këtë projekt dhe jo vetëm.

Pjesë nga intervista:

Si lindi “Killing Me”?

Albani: Kemi 4 vjet që punojmë me këtë projekt. Ka nisur si demo para 4 vitesh dhe vokalet janë hedhur para shumë kohësh. Isha unë që e zgjasja sepse doja të dilte diçka që unë ta ndjeja akoma dhe më shumë.

Tiri: Albani e bënte një projekt dhe pastaj thoshte: “Jo, nuk më pëlqen, dua ta bëj nga e para”.

Si ndiheni tani që kjo këngë doli?

Tiri: Unë them shyqyr që doli. Kjo është një këngë që e dua shumë, prandaj jemi marrë 4 vite me të. Ka dhe material të tjera që kanë 4 vite që i kam, por nuk jam bërë mbarë. E dua shumë, linja vokale, instrumentacioni, çdo gjë është perfekte. Më emocionon, është nga ato këngë që të rrënqeth mishin.

Pse vendosën që këngën “Killing Me” ta sjellin në anglisht?

Albani: Unë gjithmonë kam synuar dhe vazhdoj të synoj tregun ndërkombëtar. Mendoj që është më mirë të vazhdojmë në anglisht sepse është një rrymë tjetër, një stil tjetër, që nuk përshtatet shumë me tregun tonë.

“Killing Me” flet për vetminë, është diçka që e keni përjetuar vetë?

Tiri: Duke qenë se është anglisht, ka pasur dhe persona të tjerë që më kanë ndihmuar me teksin. Por po, kënga është një reflektim, që mendoj se gjithsecili nga ne një herë në jetë e bën. Përqëndrohet më shumë tek gjërat që nuk ke mundur t’i bësh dhe të buçasin në kokë në një moment të caktuar të jetës që të thonë ‘pse nuk e bëra’. Edhe titulli është për këto tentativa që nuk i bëre kurrë.

Sa të kënaqur jeni me klipin?

Albani: Realisht jam shumë i kënaqur, është fiks ashtu siç e doja. Ndihem shumë mirë kur e shoh videon. Atë transmeton edhe kënga, pak vuajtje. Besoj se videoja përshtatet fiks me këngën dhe nuk do të doja asgjë tjetër më shumë.