Këngëtari i njohur britanik Sam Smith ka rrëfyer një detaj të dhimbshëm nga fëmijëria e tij, duke zbuluar se iu nënshtrua një operacioni liposuksioni në moshën vetëm 13-vjeçare, pasi ishte bullizuar për peshën dhe pamjen fizike. Gjatë një interviste në podcastin “Podcrushed”, 33-vjeçari, i cili identifikohet si jo-binar dhe përdor përemra gjinorë neutralë, tha se pesha ishte “sfida më e madhe” me të cilën është përballur gjatë adoleshencës.
“Kam bërë operacion në gjoks kur isha 13 vjeç, sepse më ishte zhvilluar gjoksi. Kishte shumë arsye pse ndodhi, por kryesisht sepse më tallnin vazhdimisht. Nuk mund të notoja në shkollë dhe ndërrimi i rrobave në dhomën e zhveshjes ishte një makth”– rrëfeu Sam.
Artisti shtoi se vendimi për ndërhyrjen kirurgjikale erdhi si rezultat i presionit emocional të vazhdueshëm dhe mungesës së vetëbesimit që kishte krijuar bullizmi. “Prindërit e mi ishin shumë mbështetës. Ata panë sa shumë po më ndikonte kjo situatë dhe donin vetëm që unë të ndihesha rehat në trupin tim.”-shtoi këngëtari.
Sam Smith është shprehur më herët se për shumë vite ka luftuar me vetëimazhin dhe pranimin e trupit të tij, duke u përpjekur të pranojë dhe të duajë veten pa ndikuar nga standardet e shoqërisë. Sot, artisti është një prej zërave më të fortë në industrinë muzikore për pranimin e trupit, diversitetin gjinor dhe vetëdashurinë.




