Këngëtarja e famshme, Demi Lovato, i ka dhënë fund beqarisë. 32-vjeçarja është martuar me partnerin e saj, muzikantin Jutes, në një ceremoni intime dhe romantike të mbajtur në Kaliforni të dielën, më 25 maj.
Rivista “Vogue” shkruan se për ditën e saj të veçantë, ylli i muzikës zgjodhi një fustan nusërie të dizenjuar posaçërisht nga marka legjendare “Vivienne Westwood”. Fustani me bust korse dhe vello përfaqësonte stilin klasik dhe elegant që e karakterizon Westwood-in, duke nxjerrë në pah format trupore të artistes.
“Kam qenë një fanse e krijimeve të Vivienne Westwood për një kohë të gjatë”, tha 32-vjeçarja për “Vogue”, duke shtuar:
“Kur mendoja për fustanin tim të nusërisë, gjithmonë kthehesha te stili i saj”.
Gjatë pritjes pas ceremonisë, këngëtarja veshi një krijim të dytë po nga “Westwood”, një fustan të bardhë sateni me korse dhe detaje elegante me perla.
“Është një copë unike që më bën të ndihem e veçantë”, tha ajo.
Ceremonia u organizua nga event menaxherja e njohur, Mindy Weiss, ndërsa të ftuarit shijuan një darkë private një natë para dasmës, pas ceremonisë.
Kujtojmë se Demi dhe Jutes e bënë publike lidhjen e tyre në gusht të vitit 2022. Në Ditën e Shën Valentinit, Lovato ndau emocionet e saj në një postim në “Instagram”:
“Jordan, mezi pres të martohem me ty! 3 vitet e fundit kanë qenë më të mirat e jetës sime. Jam e çmendur pas zemrës tënde, dashurisë dhe dritës tënde”.
Propozimi për martesë ndodhi më 16 dhjetor të vitit 2023, në një mjedis privat në Los Angeles. Në një intervistë për “People” në shtator 2024, Lovato tregoi:
“E kam pritur gjithë jetën time këtë moment. Është kaq stabilizuese të kesh pranë një partner kaq të dashur dhe mbështetës”.
Dyshja u njoh gjatë punës për albumin e Lovato-s, “Holy Fvck”, dhe vendosën ta shijojnë periudhën e fejesës pa presion, duke e ndërtuar lidhjen e tyre me qetësi dhe dashuri.












