Këngëtarja e njohur amerikane, Olivia Rodrigo, ka reaguar ashpër ndaj administratës së Presidentit Donald Trump, pasi një video zyrtare e publikuar në Instagram përdori pa leje këngën e saj “All-American B”.

Videoja, e postuar nga një faqe që promovon fushatat e presidentit, tregonte agjentë të ICE (Immigration and Customs Enforcement) duke ndjekur dhe ndaluar emigrantë të paligjshëm, ndërsa në sfond dëgjohej kënga e Rodrigo-s.

22-vjeçarja reagoi menjëherë në rrjete sociale, duke shpërthyer në kritika:

“Mos i përdorni kurrë këngët e mia për të promovuar propagandën tuaj raciste dhe plot urrejtje”, shkroi ajo në komente, sipas DailyMail.

Pas reagimit të saj, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) publikoi një përgjigje zyrtare, duke theksuar se zbatuesit e ligjit “meritojnë respekt” dhe duke sugjeruar që Olivia “t’i falënderojë për shërbimin ndaj vendit”.

Këngëtarja e hitit “Vampire” është shprehur shpesh hapur për çështjet sociale dhe ka mbështetur publikisht të drejtat e emigrantëve. Në të kaluarën, ajo ka dënuar mënyrën se si trajtohen komunitetet emigrante në Los Angeles, duke e cilësuar atë si “të tmerrshme”.

Kjo nuk është hera e parë që muzika e saj përdoret pa leje në fushata politike. Në nëntor të kaluar, llogaria zyrtare Team Trump në TikTok përdori këngën “Deja Vu” në një video që festonte fitoret zgjedhore, duke shkaktuar një reagim të ngjashëm nga Rodrigo.

Reagimi i fundit i artistes ka ndezur sërish debatet për përdorimin e paautorizuar të muzikës nga fushatat politike, një praktikë që shumë artistë amerikanë kanë dënuar hapur në vitet e fundit.