Një përplasje e gjatë ligjore për përdorimin e emrit “Perry” ka marrë fund, me një vendim në favor të stilistes australiane Katie Taylor, e cila ka fituar ndaj këngëtares së famshme botërore Katy Perry. Vendimi u dha nga High Court of Australia, që i njohu stilistes të drejtën për të vazhduar përdorimin e emrit të saj për markën e modës, duke i dhënë fund një beteje që zgjati afro 17 vite.

Konflikti nisi pasi Katie Taylor, e lindur me emrin Katie Perry, kishte regjistruar markën e saj të veshjeve në Australi përpara se këngëtarja të fitonte famë globale. Me rritjen e popullaritetit të artistes, lindën përplasje mbi përdorimin e emrit në tregun australian, sidomos për produkte si veshjet dhe aksesorët.

Gjatë viteve, çështja kaloi në disa shkallë gjyqësore, me argumente që lidhen me të drejtën e markës tregtare dhe mundësinë e konfuzionit te konsumatorët. Vendimi përfundimtar i gjykatës më të lartë i dha të drejtë stilistes, duke konfirmuar se ajo mund të vazhdojë të përdorë emrin e saj në biznesin e modës.