Këngëtarja Jesy Nelson ka ndarë me ndjekësit një nga momentet më të dhimbshme të jetës së saj, duke publikuar një video emocionale në Instagram, ku shfaqet mes lotësh teksa flet për gjendjen shëndetësore të binjakeve të saj.

Ish-anëtarja e Little Mix ka zbuluar se vajzat e saj binjake, Ocean Jade dhe Story Monroe Nelson-Foster, të lindura në muajin maj, janë diagnostikuar me Atrofi Muskulare Spinale, një sëmundje e rrallë gjenetike që prek muskujt e trupit. Sipas mjekëve, binjaket e saj nuk do të jenë kurrë në gjendje të ecin.

Në videon prekëse, këngëtarja 34-vjeçare shpjegon se sëmundja ndikon në çdo muskul të trupit, duke përfshirë lëvizjen, frymëmarrjen dhe gëlltitjen. Ajo rrëfen se tashmë është kujdestare e vajzave 24 orë në ditë dhe se është përballur me situata që, sipas saj, asnjë nënë nuk duhet t’i përjetojë.

Jesy tregon se dyshimet e para nisën pasi nëna e saj vuri re mungesë të lëvizjeve normale në këmbët e foshnjave. Fillimisht ajo nuk u alarmua, pasi ishte këshilluar që fëmijët e lindur para kohe zhvillohen ndryshe dhe nuk duhet të krahasohen me të tjerët.