Këngëtarja e mirënjohur italiane, Laura Pausini u detyrua të ndërpresë përkohësisht performancën në skenë gjatë një koncerti në Ekuador dhe të përdorë një maskë oksigjeni për shkak të lodhjes. Ngjarja ndodhi përpara rreth 8 mijë spektatorëve. Gjatë koncertit, artistja ndjeu vështirësi në frymëmarrje dhe vendosi të ndalojë për disa minuta, duke kërkuar ndihmë mjekësore në skenë.

Pa u tërhequr prapa skenës, Pausini zgjodhi transparencën. Ajo vendosi maskën e oksigjenit përpara publikut. Me humor, ajo arriti të ulë tensionin duke bërë shaka me situatën, ndërsa fansat reaguan me duartrokitje dhe mbështetje. Video të momentit, të filmuara nga të pranishmit, u shpërndanë shpejt në rrjetet sociale, duke treguar një skenë të pazakontë, por të menaxhuar me profesionalizëm.