Është qëlluar me armë zjarri shtëpia e yllit të muzikës pop Rihanna në Beverly Hills. Oficerët e Los Angeles Police Department reaguan pas raportimeve për të shtëna rreth orës 13:15 me orën lokale të dielën. Policia ka identifikuar një të dyshuar, e cila është vënë në pranga nga autoritetet.

Sipas mediave amerikane, në vendngjarje janë gjetur gëzhoja të një arme automatike. Fatmirësisht, nga incidenti nuk ka persona të lënduar. Burime të zbatimit të ligjit kanë bërë të ditur për Los Angeles Times se këngëtarja ndodhej brenda vilës në momentin e të shtënave.

Policia njoftoi se e dyshuara, një grua rreth të 30-ave, ndaloi me makinë jashtë banesës dhe qëlloi shtatë herë drejt pronës përpara se të largohej me shpejtësi. Automjeti i saj u gjet rreth 12 kilometra larg shtëpisë së këngëtares, ku ajo u arrestua. Identiteti i saj nuk është bërë ende publik.