Gjatë vitit 2024, Adele ka vazhduar të jetë një nga artistet më të paguara në botë, pavarësisht se albumi i fundit i saj u publikua në vitin 2021. Këngëtarja britanike fiton rreth 185 mijë euro në javë, pa llogaritur të ardhurat kolosale nga koncertet e saj në Las Vegas dhe dhjetë shfaqjet e shitura plotësisht në Mynih.
Pasuria e 37-vjeçares vlerësohet rreth 234 milionë euro, ndërsa vetëm gjatë vitit të fundit ajo ka shtuar rreth 9,6 milionë euro në bilancin e saj personal. Rezidencat e saj muzikore në Las Vegas thuhet se i sjellin rreth 866 mijë euro për natë, duke e kthyer çdo dalje në skenë në një sukses financiar.
Një pjesë e madhe e të ardhurave të Adele vjen edhe nga të drejtat e autorit, pasi katalogu i saj muzikor vazhdon të dominojë shitjet dhe platformat e streaming-ut. Albumi “21” ka shitur rreth 31 milionë kopje në mbarë botën, “25” rreth 22 milionë, ndërsa “30” mbi 5,5 milionë kopje. Megjithëse ka ndërtuar një pasuri marramendëse, Adele ka deklaruar vazhdimisht se paraja nuk është motivimi i saj kryesor.
Ajo ka theksuar se nuk dëshiron të lidhet me marka komerciale dhe se vjen nga një familje e thjeshtë. Në jetën personale, këngëtarja është e fejuar me agjentin sportiv Rich Paul që nga gushti i vitit 2024. Çifti ka shprehur dëshirën për të zgjeruar familjen. Adele është nënë e një djali 13-vjeçar, Angelo, nga martesa e mëparshme me Simon Konecki dhe ka treguar se do të dëshironte të kishte edhe fëmijë të tjerë.



