Në gadishullin e Atosit, në veri të Greqisë, jetojnë vetëm murgj që i kanë kushtuar jetën lutjes dhe heshtjes, një vend ku hyrja e grave është e ndaluar prej më shumë se një mijë vjetësh. Në brigjet verilindore të Greqisë, përtej plazheve të Halkidikit, shtrihet një gadishull i heshtur e misterioz që i përket një bote tjetër; Mali Atos (Mount Athos). Ky vend unik, i njohur edhe si “Republika Monastike e Shën Malit”, është një nga qendrat më të lashta të jetës murgërore në botë dhe konsiderohet “Zemra shpirtërore e Ortodoksisë”.
Aty jetojnë vetëm burra, rreth 2.000 murgj nga vende të ndryshme të botës, të cilët i kanë kushtuar jetën lutjes, meditimit dhe punës së dorës. Gratë nuk lejohen të hyjnë në territorin e Atosit, një rregull mijëravjeçar që zbatohet me përpikëri edhe sot. Athosi ka status autonom brenda shtetit grek dhe qeveriset nga një këshill monastik prej 20 manastiresh. Këto manastire madhështore, si Vatopedi, Iviron, Simonopetra, Hilandar, janë ndërtuar në shkëmbinj të lartë mbi detin Egje dhe duken si të ngritura mes qiellit dhe tokës.
Prej vitit 1988, Mount Athos është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si një thesar unik shpirtëror, arkitektonik dhe natyror. Në këtë vend, koha duket sikur ka ndalur. Ora matet me ritmin e këmbanave të manastireve, ndërsa murgjit ecin në heshtje, duke bartur shekuj të tërë traditash bizantine. Sipas traditës, që nga shekulli i 10-të, Mali Athos është përkushtuar Shën Mërisë. Legjenda thotë se vetë Virgjëresha Mari u strehua aty gjatë një udhëtimi në Qipro, dhe pas bekimit të saj, gadishulli iu kushtua në përjetësi “si kopshti i saj”.
Prania e grave, sipas këtij simbolizmi, do ta prishte “pastërtinë shpirtërore” të jetës monastike. Për këtë arsye, aty nuk lejohen gra, vajza, madje as kafshë femra shtëpiake (me përjashtim të maceve që mbahen për të luftuar brejtësit). Vizitorët meshkuj nga e gjithë bota e konsiderojnë Ahtosin si një pelegrinazh të jetës. Për të hyrë, nevojitet leje speciale (Diamonitirion) e lëshuar nga Zyra e Pilegrinëve në Selanik, e cila kufizon numrin e vizitorëve në rreth 100 persona në ditë. Ata që hyjnë, përjetojnë një botë të heshtur, pa luks, pa internet e pa zhurmë.
Në manastire, pelegrinët ftohen të marrin pjesë në lutjet kolektive, të ndajnë ushqimin e thjeshtë (bukë, ullinj, verë e supë bimore) dhe të flenë në qeliza të përunjura, nën tingujt e detit dhe kambanave. Për shumë pelegrinë, qëndrimi në Athos është një rikthim në thelbin e njeriut. Në këtë “ishull pa gra, por plot dashuri hyjnore”, siç e quajnë murgjit, njeriu përballet me heshtjen, qetësinë dhe thjeshtësinë e jetës, gjëra që në botën moderne duken gjithnjë e më të largëta.




