Një 75-vjeçar nga Nju Orleansi, i cili kishte ndryshuar ligjërisht emrin e tij në Santa Claus, është arrestuar në Luiziana gjatë një operacioni policor kundër personave të dyshuar për shfrytëzim seksual të të miturve. Sipas Policisë së qytetit Kenner, burri kishte kontaktuar përmes një aplikacioni njohjesh me një person që ai besonte se ishte një djalë 15-vjeçar. Në fakt, profili drejtohej nga një efektiv policie i infiltruar në kuadër të një operacioni për identifikimin e grabitqarëve seksualë në internet.

Autoritetet pretendojnë se 75-vjeçari zhvilloi biseda me përmbajtje të qartë seksuale dhe organizoi një takim fizik në Kenner, pranë Nju Orleanit. Sipas shefit të Policisë së Kennerit, Keith Conley, i dyshuari kishte dërguar edhe fotografi me përmbajtje të papërshtatshme gjatë komunikimit.

Burri u arrestua pa bërë rezistencë sapo mbërriti në vendin e takimit, njoftoi policia. Autoritetet thanë gjithashtu se ai paraqitej shpesh i veshur si Babagjyshi i Vitit të Ri (Santa Claus) dhe se në posedim iu gjetën fotografi ku shfaqej me këtë kostum. “Fakti që një person që vishet si Santa Claus dhe fton fëmijët për fotografi dyshohet për një vepër të tillë duhet të shërbejë si një paralajmërim për prindërit dhe kujdestarët”, deklaroi shefi i policisë, Keith Conley.