Jada Pinkett Smith është përfshirë në një çështje të re ligjore, pasi Bilaal Salaam – një mik dhe bashkëpunëtor i hershëm i Will Smith – ka depozituar një padi prej tre milionë dollarësh kundër saj.
Salaam akuzon aktoren e Hollywood-it për kërcënime fizike, shpifje dhe përpjekje për ta detyruar të heshtë përmes një marrëveshjeje konfidencialiteti.
Sipas dokumenteve të padisë, incidenti kryesor thuhet se ka ndodhur në shtator të vitit 2021, gjatë një feste private në ‘Regency Calabasas Commons’. Salaam pretendon se Pinkett Smith, e shoqëruar nga shtatë pjesëtarë të ekipit të saj të sigurisë, iu afrua dhe e kërcënoi verbalisht. Ai thotë se aktorja i ka thënë se mund të “zhdukej ose të qëllohej” nëse guxonte të fliste për çështjet e saj personale. Më tej, ai pohon se Jada kërkoi që ai të firmoste një NDA, ndërsa anëtarët e stafit e ndoqën deri te makina duke e intimiduar.
Tensionet mes palëve dyshohet se u rritën pas incidentit të Oscarëve në vitin 2022, kur Will Smith goditi Chris Rock në skenë. Salaam pretendon se çifti i kërkoi ndihmë për “menaxhimin e krizës”, por ai refuzoi duke thënë se nuk mund të angazhohej në veprime të paligjshme apo joetike.
Padia nënvizon se pas këtij refuzimi, ai u vu në shënjestër të një “fushate hakmarrjeje”, sidomos kur nisi të shkruante një libër kujtimesh dhe dha një intervistë virale, ku pretendoi se kishte parë Will Smith në një marrëdhënie intime me aktorin Duane Martin.
Pala e Jada Pinkett Smith nuk ka dhënë ende një reagim publik mbi akuzat, ndërsa çështja pritet të marrë zhvillime të tjera në ditët në vijim.




