Gazetari dhe prezantuesi i njohur italian, Alfonso Signorini, është nën hetim nga prokuroria e Milanos për dyshimet për dhunë seksuale dhe shantazh.
Vendimi vjen pas kallëzimit të depozituar nga ish-pjesëmarrësi i “Grande Fratello”, Antonio Medugno, i cili pretendon se ka qenë pjesë e një sistemi ku kërkoheshin favore seksuale për të marrë pjesë në program, denoncim i bërë publikisht edhe nga Fabrizio Corona.
Sipas mediave italiane, Signorini kishte njoftuar vetëpezullimin e menjëhershëm nga Mediaset, për shkak të akuzave të ngritura nga Corona në kanalin e tij në YouTube, “Falsissimo”.
Për t’u përballur me hetimet, Signorini ka ndryshuar avokatët, duke zgjedhur dy emra të njohur: Daniela Missaglia dhe Domenico Aiello. Missaglia, ekspertja e të drejtës së familjes dhe e individit, ka përvojë në ndarje të famshme si ajo midis Nina Moric dhe Fabrizio Corona, ndërsa Aiello është avokat penalist me përvojë në çështje të komplikuara të korrupsionit dhe kontratave publike.
“Ne kemi të gjitha mjetet për të provuar se denoncimi është i shpifur dhe autorët janë të gatshëm të shkatërrojnë jetën e njerëzve për të fituar miliona euro. Kjo është ajo që unë e quaj ‘etika e mbeturinave’”, ka deklaruar Aiello, duke iu referuar akuzave kundër Signorini.


