Ylli amerikan i televizionit dhe sipërmarrësja, Kim Kardashian, ka zbuluar se ka përdorur ChatGPT gjatë përgatitjes për provimet e saj të jurisprudencës, por sipas saj, inteligjenca artificiale e ka penguar më shumë sesa e ka ndihmuar.

Në një intervistë për serinë “Lie Detector Test” të revistës “Vanity Fair”, ku aktorja Teyana Taylor i drejtoi disa pyetje për jetën personale dhe profesionale, 45-vjeçarja foli hapur për përvojën e saj me inteligjencën artificiale. Fillimisht ajo mohoi ta përdorte për këshilla jetësore apo dashurie, por më pas pranoi se e përdor për këshilla ligjore gjatë studimeve.
“Sa herë që më duhet një përgjigje për një pyetje ligjore, bëj një foto të detyrës dhe e ngarkoj në ChatGPT. Por ai shpesh më çon te përgjigjja e gabuar, kështu që vazhdoj të dështoj në teste për shkak të kësaj. Pastaj mërzitem dhe filloj t’i bërtas,” u shpreh me humor Kardashian.

Taylor, duke bërë shaka, e pyeti nëse kjo do të thoshte se ajo dhe ChatGPT ishin njëkohësisht miq dhe rivalë. Kim pranoi duke thënë: “Po, pikërisht! Kjo thjesht të mëson t’u besosh instinkteve të tua – e dija përgjigjen gjatë gjithë kohës.”

Sipas “Vanity Fair”, operatori i poligrafit konfirmoi se Kardashian nuk po gënjente për përdorimin e ChatGPT gjatë intervistës.