Ylli televiziv Kim Kardashian ka deklaruar se nuk beson se njeriu ka zbritur ndonjëherë në Hënë në vitin 1969. Këtë e tha në një episod të ri të emisionit “The Kardashians”, duke shprehur hapur bindjen e saj në një nga teoritë e konspiracionit më të njohura.

“Mendoj se nuk ka ndodhur”, tha ajo. Gjatë xhirimeve të serialit dramatik “All’s Fair”, Kim u përpoq të bindte aktoren Sarah Paulson që të vërë në dyshim ngjarjen historike. “Do të të dërgoj miliona artikuj për Buz Aldrin dhe… atë tjetrin”, tha ajo, duke iu referuar Neil Armstrongut. Paulson iu përgjigj me humor: “Po, bëje”. Kardashian më pas përshkroi një video ku, sipas saj, Buzz Aldrin pranon se zbritja në Hënë “nuk ka ndodhur”.

Sipas Kim-it, Aldrin i cili tani është 95 vjeç “tani thotë të vërtetën sepse nuk kujdeset më çfarë thotë”. Kardashian më vonë pranoi se i dërgon shpesh teori konspirative miqve të saj. Në një bisedë me producentët, Kim pohoi qartë se beson se zbritja në Hënë ishte e sajuar. “Mendoj se nuk kemi qenë kurrë atje. Ishte e rreme”, tha tutje. “Kam parë disa video ku Buzz Aldrin thotë se nuk ka ndodhur. Ai e përsërit shpesh”.

Ajo përmendi disa prova që, sipas saj, e mbështesin këtë teori. Flamuri që valëvitet, megjithëse në Hënë nuk ka ajër; Gjurmët e këpucëve në muze që nuk përputhen me ato të fotografive dhe mungesa e yjeve në sfondet e fotove.