Kim Kardashian ka shkaktuar sërish debat në rrjetet sociale me kompaninë e saj, SKIMS, pasi ka nxjerrë në treg produktet më të reja, një linjë tangash me qime pubike artificiale.
Siç vihet re edhe nga postimet e bëra nga ylli televiziv, linja është hedhur në treg në ngjyra të ndryshme si e kuqe, blu dhe kafe, dhe vjen në dy versione: me qime të drejta dhe kaçurrela.
“Sa qesharake janë këto?”, ka pyetur Kim ndjekësit e saj në një postim në “Instagram” më 14 tetor, duke treguar mostrat e të brendshmeve të reja që shumë shpejt u bënë virale.
Ndërkohë në faqen zyrtare të SKIMS, produkti përshkruhet si “artikulli më i guximshëm deri më tani” i markës, ndërsa çmimi arrin në 42 euro për palë.

Megjithatë, pavarësisht çmimit dhe natyrës së pazakontë të produktit, tangat u shitën pothuajse në të gjitha madhësitë brenda pak orësh nga lançimi.
Reagimet në internet ishin të shumta dhe të ndryshme. Disa fansa e cilësuan idenë “të çmendur” dhe “absurde”, ndërsa të tjerë e vlerësuan për origjinalitetin dhe sensin e humorit të Kim-it.
“Kim Kardashian po çmendet plotësisht me ato të brendshme të reja”, shkroi një përdorues në platformën X (ish-Twitter), ndërsa një tjetër komentoi:
“Kim nuk mund të jetë serioze me këtë ide”.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Kim Kardashian ngjall debat me produktet e SKIMS.
Në korrik, ajo prezantoi një mbështjellës fytyre për shtrëngimin e nofullës dhe mjekrës, që u përshkrua si “risia e parë e markës për fytyrën”.
Edhe atëherë, reagimet ishin të ndara mes atyre që e panë si një trend të panevojshëm dhe atyre që e konsideruan të dobishëm për kujdesin personal.