Këngëtarja e njohur, Krusita, ka qenë të shtunën e ftuar në emisionin “S’e Luan Topi”, ku është emocionuar nga një letër që i kishte shkruar e ëma.

“Dashuria ime Krusita, e kam filluar kështu këtë letër sepse në fakt unë kështu të thërras çdo ditë të jetës. Kur linde ti dashuri, unë dhe babi u ndjemë tashmë të realizuar sepse kishim sjellë në jetë dy yje, vëllain tënd dhe më pas ty. Ti dashuri na e mbushe shtëpinë edhe me më shumë jetë, si një engjëll i vogël unë afrohesha drejt teje pa u ndalur edhe të prekja duart e tua të njoma, e të këndoja ato këngët e mia, ndërsa ti filloje të belbëzoje. Të gjitha këto më jepnin edhe më shumë jetë. Fjalët e tua të para, buzëqeshja që na e jepje çdo ditë, na e bënë jetën më të lumtur, mua, babit dhe vëllait.

Gjatë fëmijërisë tënde mua më mbushe çdo ditë me dashuri dhe nuk e kuptoja që ti po rriteshe kaq shpejt, por po dëgjoja disa tinguj të zërit tënd të bukur dhe më befasuan e më dhanë emocione pafund. Fillove të rriteshe dhe të arrije atë moshë të adoleshencës tënde dhe nuk na shqetësove kurrë. Unë të ndiqja në çdo hap të jetës, por ti si një vajzë e shkathët dhe e zgjuar i bëje të gjitha gjërat vetë, derisa ti realizoje pasi kishe një forcë të brendshme duke thënë: ‘Mami dhe babi unë jam Krusita’. Dashuri, puthjet e tua të bukura që më jep çdo ditë dhe fjalët që më përkëdhelin, më bëjnë edhe më shumë krenare. Për ta mbyllur këtë letër, mami të uron të kesh jetë të gjatë, të jesh gjithmonë ashtu siç je, një vajzë e thjeshtë, e drejtë dhe e dashur. Të uroj një rrugëtim të gjatë në karrierën tënde, zëri yt i bukur të ndriçojë si ylber lart në qiell. Dashuri Krusita të duam pafund”, shkruhej në letër.

Ndërkohë, ish-banorja e edicionit të pestë të “Big Brother VIP” u përlot nga kjo letër. E ashtu me lot në sy, Krusita e falënderoi mamin për gjithë mbështetjen që i jep në çdo hap të jetës së saj.

“Kisha vendosur që nuk do të qaja në këtë emision, e di që të gjithë që vijnë qajnë. Po duke qenë se unë dhe mami kemi një marrëdhënie shumë të mirë me njëra-tjetrën. Mami im është natyrë e ftohtë, kur e shpreh dashurinë e shpreh me fjalë ‘dashuria ime, jeta ime’, por asnjëherë kaq gjatë. Që mami të më shkruajnë mua kaq shumë gjëra, për natyrën pak të akullt që e ka, ndoshta e kam marrë nga ajo këtë gjë, ishte shumë emocionuese. Mami të dua shumë, je më e mira. Faleminderit që më mbështet në çdo hap të jetës sime. Edhe babin mos ta harrojmë”, tha këngëtarja.