Një aksident i rëndë ka ndodhur pak para koncertit të këngëtares së famshme, Shakira, në Brazil. Mediat e huaja shkruajnë se një teknik ka humbur jetën pas shembjes së një pjese të skenës.
Autoritetet dhe organizatorët kanë bërë të ditur se, punëtori po merrej me përgatitjen e skenës në plazhin e njohur Copacabana. Aty prej më shumë se dy javësh po ndërtohej një skenë e madhe për koncertin e planifikuar për datën 2 maj.
Ndërkohë departamenti i zjarrfikësve bëri të ditur se burri mbeti i bllokuar në një sistem ngritës, e më pas iu shtypën këmbët. Ai u nxor nga kolegët dhe u transportua me urgjencë në spital, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda.

“Reuters” shkruan se, viktima ishte pjesë e ekipit që punonte për montimin e skenës. Një dëshmitar okular raportoi se “papritur pamë njerëz duke vrapuar dhe, kur kthyem kokën, struktura ishte shembur në tokë”.
Nga ana tjetër, në një deklaratë të shkurtër, kompania organizatore “Bonus Track” konfirmoi vdekjen e teknikut, duke shprehur keqardhje për ngjarjen.
Sipas mediave të huaja, disa ditë më parë, më 13 prill, policia kishte gjetur dhe larguar një pajisje shpërthyese nga shëtitorja në Copacabana, e cila sipas mediave lokale rezultoi të ishte një granatë tymuese jo-vdekjeprurëse.



