Një dokumentar i ri që u publikua këtë të enjte, rikthen në vëmendje jetën e një prej futbollistëve më spektakolarë të historisë së lojës. Bëhet fjalë për Ronaldinho, ku tregohen jo vetëm sukseset e tij në fushë, por edhe uljet dramatike jashtë saj.
Ish-ylli i Brazilit dhe Barcelonës, fitues i Kupës së Botës 2002 dhe Topit të Artë 2005, ka jetuar një jetë mes luksit ekstrem, krizave financiare dhe madje edhe burgut në Paraguaj. Në kulmin e karrierës së tij, Ronaldinho u shndërrua në një nga figurat më të paguara të futbollit botëror. Sipas raportimeve, në vitin 2006 ai u bë lojtari më i paguar në botë, duke kaluar edhe David Beckham.
“France Football raportoi se Ronaldinho fitonte mbi 18 milionë euro në vit nga paga dhe sponsorizimet”, thuhet në dokumentar. Ai kishte kontrata fitimprurëse me marka të mëdha si Nike, Pepsi dhe Coca-Cola. Por, jeta nuk e tregua aspak bujare dhe situata e tij financiare nuk ka qenë e qëndrueshme.
Në vitin 2018, u raportua se ai kishte vetëm 6 euro në llogaritë bankare, për shkak të borxheve dhe problemeve ligjore. Më vonë, në 2019, autoritetet braziliane i sekuestruan 57 prona për shkak të detyrimeve tatimore. Ndërkohë që në këto momente, pasuria e tij aktuale vlerësohet në më tepër se 72 milionë euro. Paratë përfitohen kryesisht nga sponsorizimet dhe aktivitetet mediatike.
Një nga momentet më të bujshme të jetës së Ronaldinho ndodhi në mars të vitit 2020, kur ish-futbollisti dhe vëllai i tij u arrestuan në Paraguai, pasi hynë në këtë vend me dokumente të falsifikuara. “Unë kurrë nuk e kam imagjinuar se do të përjetoja një situatë të tillë”, tha ai gjatë qëndrimit në paraburgim, duke shtuar se gjithmonë kishte kërkuar “të sillte gëzim për njerëzit me futbollin e tij”.
Fillimisht i mbajtur 32 ditë në burg, ai më pas u transferua në një hotel në Asunción, ndërsa procesi ligjor vazhdonte. Ai madje festoi edhe ditëlindjen e 40-të në paraburgim. Raportohet se gjatë qëndrimit në burg, Ronaldinho u bë shumë i njohur mes të burgosurve dhe mori pjesë në një turne futbolli futsal, ku skuadra e tij fitoi finalen 11-2. Pas lirimit, ai dhe vëllai u gjobitën me rreth 170 mijë euro në total.

