Aktori dhe komediani amerikan, Andy Dick thotë se mjekët kanë zbuluar disa dëmtime në trurin e tij pas viteve të gjata me varësi nga droga dhe një mbidozë që e çoi pranë vdekjes. Komediani amerikan Andy Dick ka rrëfyer për herë të parë problemet serioze shëndetësore që po përjeton pas një mbidoze me opioidë që ndodhi disa muaj më parë. 60-vjeçari tha se analizat mjekësore kanë zbuluar disa dëmtime në trurin e tij, të cilat sipas tij po ndikojnë edhe në kujtesë.

Gjatë një interviste në podcastin e prezantuesit Howie Mandel, Dick tregoi se kur u gjet pa ndjenja pas mbidozës ishte pa frymëmarrje dhe me ngjyrë të purpurt, ndërsa momenti tjetër që mban mend është kur u zgjua në ambulancë. Pas incidentit, mjekët kryen një skanim të kokës ku sipas komedianit u zbuluan disa dëmtime në tru, të cilat ai i përshkroi si pesë deri në shtatë zona të dëmtuara. Ai shtoi se këto probleme po ndikojnë drejtpërdrejt në kujtesën dhe gjendjen e tij mendore.

Aktualisht Dick jeton në një komunitet rehabilitimi ku ndalohet përdorimi i çdo lloj substance dhe banorët i nënshtrohen testeve të rregullta për drogë. Ai theksoi se nuk përdor më asnjë lëndë, përveç kafesë. Komediani pranoi se mërzia dhe kërkimi i emocioneve të forta kanë qenë ndër arsyet që e kanë rikthyer shpesh drejt alkoolit dhe drogës gjatë viteve.

Andy Dick është një figurë e njohur e komedisë amerikane në vitet 90 dhe ka marrë pjesë në disa filma dhe seriale të njohura, përfshirë NewsRadio, The Ben Stiller Show dhe filmin Inspector Gadget.