Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Holandë, ku një 33-vjeçar është arrestuar nga autoritetet nën dyshimin se po planifikonte një sulm ndaj anëtareve të familjes mbretërore. Sipas prokurorisë në Hagë, i dyshuari kishte në shënjestër Catharina-Amalia dhe Alexia, vajzat e mbretit Willem-Alexander dhe mbretëreshës Maxima.

Gjatë kontrollit, autoritetet kanë sekuestruar mjete të rrezikshme ku ishin gdhendur shkrime shqetësuese, si dhe një shënim ku përmendeshin emrat e princeshave së bashku me referenca për dhunë të rëndë. Hetimet tregojnë se i dyshuari kishte nisur përgatitjet për sulmin që në muajin shkurt, ndërsa pritet të dalë përpara gjykatës në ditët në vijim.

Kjo nuk është hera e parë që familja mbretërore holandeze përballet me kërcënime serioze. Në të kaluarën, autoritetet kishin zbuluar plane për rrëmbimin e princeshës Amalia, çka çoi në masa të forta sigurie dhe kufizime në jetën e saj personale.