Ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare Princesha e Tajlandës, Bajrakitiyabha, e cila kishte kaluar më shumë se tre vite në koma pas një kolapsi të pësuar në fund të vitit 2022. Lajmin e trishtë e ka konfirmuar vetë familja mbretërore.
Në deklaratën e Pallatit Mbretëror thuhet se, Princesha ndërroi jetë në spitalin Chulalongkorn në Bangkok, pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua gradualisht pavarësisht kujdesit intensiv të ekipit mjekësor.
Bajrakitiyabha u rrëzua në dhjetor të vitit 2022 ndërsa po stërviste qentë e saj. Mjekët konstatuan se shkaku ishte një çrregullim i rëndë i ritmit të zemrës, i shkaktuar nga një infeksion mykoplazmatik në zemër, shkruan BBC.
E njohur për karrierën e saj të suksesshme dhe angazhimin në çështjet sociale, ajo konsiderohej një nga figurat më të respektuara dhe më të afta të familjes mbretërore tajlandeze. Princesha ishte vajza e madhe e Mbretit Maha Vajiralongkorn dhe lindi më 7 dhjetor 1978.
Ajo kishte studiuar drejtësi dhe kishte përfunduar dy diploma pasuniversitare në Universitetin Cornell në Shtetet e Bashkuara. Më pas shërbeu në misionin e Tajlandës pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe punoi në zyrat e Prokurorit të Përgjithshëm në vendin e saj.
Nga viti 2012 deri në vitin 2014, Bajrakitiyabha ishte ambasadore e Tajlandës në Austri, ku bashkëpunoi ngushtë me Zyrën e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC). Ajo u bë një zë i rëndësishëm për reformimin e sistemit penal, duke mbrojtur veçanërisht të drejtat e grave të burgosura dhe personave në nevojë.
Në vitin 2021, mbreti e emëroi shefe të stafit në njësinë e tij private të sigurisë, duke i dhënë gradën gjenerale.
Përveç karrierës publike, princesha ishte e apasionuar pas sportit dhe aktivitetit fizik, duke marrë pjesë shpesh në gara të vrapimit në distanca të gjata dhe aktivitete çiklizmi.
Vdekja e saj rihap diskutimet mbi trashëgiminë e fronit tajlandez. Mbreti Vajiralongkorn, 73 vjeç, ende nuk ka emëruar zyrtarisht një pasardhës. Për shumë mbështetës të monarkisë, Bajrakitiyabha konsiderohej si një figurë e fortë dhe e besueshme që mund të luante një rol kyç në të ardhmen e institucionit mbretëror.
Me largimin e saj, një nga figurat më të spikatura të familjes mbretërore tajlandeze lë pas një boshllëk të madh, ndërsa çështja e pasardhësit të fronit mbetet ende e paqartë.
