Një gjest i thjeshtë human është shndërruar në një histori prekëse solidariteti që ka emocionuar mijëra njerëz në Shtetet e Bashkuara. Spencer, një i ri që merret me mirëmbajtjen e kopshteve dhe publikon videot e punës së tij në rrjetet sociale, ka ndihmuar një grua të moshuar duke i rregulluar falas oborrin e shtëpisë. Por ajo që ndodhi më pas i tejkaloi të gjitha pritshmëritë.
Gruaja, e quajtur Debbie, jeton në Wichita të Kansasit dhe prej kohësh përballej me vështirësi të mëdha ekonomike. Historia e saj u bë e njohur falë një shoferi taksie, i cili i tregoi Spencerit për gjendjen e vështirë të së moshuarës. Gjatë punës në oborr, Spencer mësoi se Debbie kishte kaluar vite të vështira duke u kujdesur për bashkëshortin e saj të sëmurë me kancer pankreasi, i cili më vonë ndërroi jetë. Pas humbjes së tij, ajo u përball edhe me mashtrime financiare. Një kontraktor i mori 2 mijë dollarë për punime që nuk i realizoi kurrë, ndërsa problemet ekonomike e detyruan të shtynte trajtimet mjekësore dhe dentare.
I prekur nga historia e saj, Spencer vendosi të hapte një fushatë donacionesh në platformën GoFundMe. Brenda vetëm një jave, më shumë se 22 mijë persona kontribuuan, duke mbledhur rreth 680 mijë dollarë, ose afro 593 mijë euro. Fondet do të përdoren për nevojat bazë të Debbie-t, kujdesin shëndetësor dhe për t’i siguruar një jetë më të qetë në të ardhmen. Kur Spencer i tregoi shumën e mbledhur, Debbie shpërtheu në lot. “Nuk mund ta besoj. Mendova se më kishe ndihmuar mjaftueshëm. Si mund të jenë njerëzit kaq bujarë ndaj një të panjohureje?”, tha ajo e emocionuar.



