E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë nutricionistja Anisa Kakija, për të folur më shumë mbi mënyrën tonë të të ushqyerit, cilat ushqime janë të dëmshme, por jo vetëm…
Pjesë nga intervista:
A ka ushqime që na bëjnë të varur njësoj si nikotina apo kokaina?
Deri në një lloj pike, edhe sheqeri na krijon varësi. Kjo është arsyeja pse është kaq e vështirë të heqim dorë prej tij. Sa herë që ti konsumon sheqer, dopamina jote rritet në mënyrë shumë të shpejtë, por problemi është dhe ulet në mënyrë shumë më të shpejtë. Sa herë që konsumojmë diçka që na rrit dopaminën shumë shpejt, sa herë që ekspozohemi ndaj atij ushqimi, kujtesa është shumë e fortë në lidhje me atë kujtim që ai ushqim na ka dhënë dhe e përsërisim atë akt edhe pse ndihemi shumë keq më vonë. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm me ushqimet që konsumojmë, por unë do thoja në vend që të përpiqemi t’i eliminojmë plotësisht, është më mirë t’i izolojmë në disa momente specifike të ditës. Për shembull, nuk është njësoj nëse ti e konsumon sheqerin në fillim, apo në fund të vaktit, nuk është njësoj nëse ti e konsumon sheqerin në mëngjes apo në darkë, ka një efekt komplet ndryshe.
Është më mirë që ta konsumojmë sheqerin në darkë, sepse trupi ka më shumë nevojë për sheqer në darkë dhe ka nevojë për më pak sheqer në mëngjes. Në mëngjes, apo pjesën e parë të ditës, trupi ka më shumë nevojë për proteina, për yndyrna, për gjëra që e ndihmojnë trupin të ndërtojë diçka, kur trupi është më aktiv. Në darkë, duke qenë se kemi hormonin e gjumit, që është melatonina, melatonina rritet dhe i thotë trupi ‘ngadalëso’ në çdo lloj kuptimi, edhe tretjen. Nëse tretja nuk është dhe aq eficente, kemi nevojë për gjëra që janë më të thjeshta për t’u tretur në darkë, në krahasim me mëngjesin ose drekën. Prandaj nëse dëshiron të hash diçka që përmban sheqer, një ëmbëlsirë, unë do këshilloja ose në darkë ose në mëngjes pas diçkaje proteinike. /TAR/


