Këngëtari i njohur, Mateus Frroku, ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një lajm shumë të bukur. Ai është bërë baba për herë të parë. Artisti ka publikuar një fotografi ku tregon se në jetë ka ardhur vajza e tij, Santa Frroku.
Krahas fotos simbolike të përgatitur për ardhjen në jetë të vogëlushes, Mateus ka shprehur dhe emocionet e forta që ka përjetuar së bashku me partneren e tij, Xhesi.
“Lindi Santa Frroku. Bashkë me Xhesin sot morëm frymën e shpirtit. Kuptuam sa e bukur është jeta. Ndjemë bekimin e ZOTIT. Morëm dashurinë dhe lotët e gëzimit të njerëzve tanë. Krijuam familjen tonë. JU DUA ❤️”, shkruan këngëtari i njohur.

Ardhja e Santës shënon një kapitull të ri në jetën e artistit, i cili tashmë ka marrë rolin e babait. Përmes fjalëve të tij, Mateus Frroku ka treguar se ky moment ka qenë i mbushur me emocione, dashuri dhe mirënjohje për familjen e tij.
Lajmi ka tërhequr vëmendjen e dashamirësve, të cilët kanë uruar çiftin për ardhjen në jetë të vajzës së tyre.


