Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kremtojnë sot Pashkën, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit fetar, duke marrë pjesë në meshën e ringjalljes së Krishtit në kisha dhe katedrale.

Në Tiranë, ceremonia qendrore u mbajt në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, nën drejtimin e Kryepeshkopit Joan. Gjatë meshës së mesnatës, besimtarët ndezën qirinj dhe morën “dritën e shenjtë”, të cilën e çojnë në shtëpitë e tyre si simbol të shpresës, paqes dhe jetës së re.

Pashka ortodokse shoqërohet me tradita të shumta fetare dhe familjare. Pas përfundimit të meshës, familjet mblidhen rreth tryezës festive, ku spikasin vezët e kuqe – simbol i gjakut dhe ringjalljes së Krishtit – si dhe gatime tradicionale si mishi i qengjit, kulaçi dhe ushqime të tjera të përgatitura pas periudhës së Kreshmës.

Një nga zakonet më të njohura është përplasja e vezëve, një ritual simbolik që lidhet me fatin dhe mbarësinë, ku secili përpiqet të thyejë vezën e tjetrit.

Atmosfera festive vijon gjatë gjithë ditës së diel, me vizita mes familjarëve dhe shkëmbim urimesh. Pashka përfaqëson kalimin nga sakrifica drejt shpresës, duke forcuar lidhjet shpirtërore dhe ato familjare, si dhe duke përcjellë mesazhe paqeje, dashurie dhe ringjalljeje.