Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Castellammare di Stabia, në provincën e Napolit, ku një grua ka zbuluar se varri që kishte blerë vite më parë ishte zënë nga një person tjetër. Ndërkohë, për momentin nuk dihet se ku ndodhen eshtrat e të ndjerës për të cilën ishte blerë fillimisht vendi i varrimit.
Gruaja 43-vjeçare iu drejtua karabinierëve të zonës dhe denoncoi rastin, pasi konstatoi se në varrin e saj familjar ishte vendosur një tjetër trup. Në pllakën prej mermeri figuronin të dhënat e një gruaje të lindur në vitin 1938, e cila kishte ndërruar jetë më 4 dhjetor 2025. Denoncuesja deklaroi se nuk kishte shkuar në varreza prej saktësisht një viti.
Karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, nën drejtimin e Prokurorisë së Torre Annunziata. Deri tani, autoritetet kanë sekuestruar disa dokumente nga arkivi i varrezave, ndërsa mbetet e paqartë se çfarë ka ndodhur me eshtrat e gruas që duhej të prehej në atë varr.

