Kanë dalë në shitje kujtimet e botuara pas vdekjes nga Virginia Giuffre, e cila akuzoi Princin Andrew të Britanisë për abuzim seksual kur ajo ishte adoleshente.
“Nobody’s Girl” doli në treg në Londër të martën, vetëm pak ditë pasi princi i turpëruar hoqi dorë nga titulli i tij si Dukë i Yorkut.
Pjesa më e madhe e përmbajtjes së librit u raportua para lëshimit të tij, duke shkaktuar jo pak telashe për Andrew-n, vëllai i Mbretit Charles, sjellja dhe lidhjet e të cilit me kriminelin e ndjerë seksual amerikan, Jeffrey Epstein, janë kritikuar prej kohësh.
Andrew, 65 vjeç, e ka mohuar gjithmonë rrëfimin e Giuffre-së.
Në librin “Nobody’s Girl” (Vajza e Askujt), Giuffre shkruan se kishte frikë se mos “vdiste si skllave seksi” nën kontrollin e Epstein-it dhe përshkruan tri takime seksuale të supozuara me Andrew-n në Londër, Nju Jork dhe në ishullin privat të financierit të ndjerë.
Kujtimet gjithashtu pretendojnë se Andrew e kishte gjetur saktë moshën e Giuffre – 17 vjeçe – kur u takuan për herë të parë.
Në vitin 2022, Andrew bëri një pagesë të pazbuluar për të zgjidhur një padi të ngritur në SHBA nga Giuffre, e cila ndërroi jetë nga vetëvrasja në prill.
“Siç e kam thënë më parë, i mohoj me forcë akuzat kundër meje”, tha Andrew në deklaratën e tij të premten duke njoftuar se do ndalonte përdorimin e të gjithë titujve dhe nderimeve të tij të mbetura për të mos shpërqendruar nga puna mbretin dhe anëtarët e tjerë të familjes mbretërore, shkruan “Reuters”.
Megjithatë, kritikat dhe pyetjet rreth Andrew-t dhe asaj që dinin anëtarët e familjes mbretërore për ngjarjet janë shtuar.
Forca policore e Londrës po shqyrton raportimet e mediave se në vitin 2011, Andrew i kishte kërkuar një prej oficerëve të tij të policisë të zbulonte informacione diskredituese për Giuffre-n.
“Sky News” raportoi të Mërkurën se në atë kohë, një ndihmës i lartë aktual i mbretit kishte qenë në krye të mbrojtjes policore mbretërore.
Ligjvënësit e lartë kanë thënë se Andrew duhet të flasë me autoritetet e SHBA-së për Epstein-in, ndërsa Partia Kombëtare Skoceze kërkon një debat parlamentar duke kërkuar që qeveria të prezantojë një ligj për t’ia hequr zyrtarisht titujt.
Gazeta “The Times” shkruante se për dy dekada, Andrew nuk kishte paguar asnjë qira për shtëpinë në pronat rreth Kështjellës Windsor ndaj Crown Estate, e cila menaxhon pronat që i përkasin monarkisë në emër të taksapaguesve.
“Mendoj se është koha që Princi Andrew të shkojë të jetojë në privatësi dhe të gjejë rrugën e tij në jetë”, tha Robert Jenrick, zëdhënësi i drejtësisë i partisë kryesore opozitare Konservatore, për radion e BBC-së.
“Sinqerisht, nuk e shoh pse taksapaguesi duhet të vazhdojë të mbulojë shpenzimet për të. Publiku është ngopur me të”.