Një trend i ri global ka tërhequr vëmendjen e fëmijëve dhe të rriturve në rrjetet sociale: kukullat Labubu, të cilat kanë një pamje të pazakontë, si krijesa të vogla me push, që ngjajnë me monstra të ëmbël dhe nganjëherë të frikshëm.
Por jo të gjithë i shohin me sy pozitiv këto lodra të veçanta. Influenceri amerikan Jimmy Levy, i njohur për qëndrimet e tij “anti-establishment”, ka ndezur një debat të madh online, pas një postimi në Facebook ku paralajmëron prindërit për kukullat Labubu. Levy, i cili është bërë i njohur gjatë pandemisë për deklaratat kundër vaksinave dhe teoritë konspirative, e quan lodrën “tërësisht demonike”.
Ai ka krahasuar pamjen e Labubu me ilustrimin e demonit mitologjik Pazuzu, duke sugjeruar ngjashmëri shqetësuese. “Thoni që jam i çmendur, por diçka tek këto lodra është demonike”, shkruan Levy, ndërsa u bën thirrje prindërve të jenë të kujdesshëm me atë që fëmijët e tyre konsumojnë si lodra apo figura zbavitëse.
Postimi i tij ka ndarë rrjetin në dy: disa e mbështesin shqetësimin e tij, ndërsa të tjerë e akuzojnë për teori pa bazë dhe përhapje paniku.
Ndërkohë, trendi i kukullave Labubu vazhdon të përhapet globalisht, duke u shitur në dyqane lodrash dhe online në shifra rekord.