I ftuar në emisionin “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin ka qenë doktori i njohur Altin Veshti, i cili ka analizuar me detaje gjithçka rreth kujdesit që ne duhet të kemi për të pasur një zemër të shëndetshme dhe jo vetëm kaq…
Prof. Dr. Altin Veshti një prej emblemave të kardiokirurgjisë në vendin tonë, është një mjek i cili punon në të gjithë botën por zgjedh të qëndrojë në Shqipëri duke dhënë kontributin e tij në fushën e kardiokirurgjisë.
Gjatë intervistës, Prof. Dr. Altin Veshti shpjegoi se kur një pacient ka nevojë për kirurgji të zemrës dhe në cilat raste problemi mund të trajtohet pa ndërhyrje kirurgjikale.
Çdo pacient kalon në duart e një kardiologu hemodinamist, i cili, në bazë të protokolleve ndërkombëtare, e trajton pacientin me ato që quhen stente ose unaza, por nuk më pëlqen si term. Stenti është zgjidhja e parë për të trajtuar infarktin akut, sepse e hap arterien në moment. Është një procedurë që tashmë ka shumë kolegë që e bëjnë dhe e zgjidhin në mënyrë ekselente.
Unë flas për Qendrën Spitalore Universitare, por kam parë rezultate perfekte edhe në Fier dhe në Shkodër. Sanatoriumi po se po, sepse tashmë po kthehet në një qendër terciare.
Në rastet kur nuk është e mundur të vendosen stentet, për shkak të vështirësive në vendosjen e tyre apo pozicionit të vështirë ku ndodhet ngushtimi i arteries, atëherë këta pacientë drejtohen te kardiokirurgjia dhe ne bëjmë të njëjtën gjë. Shtojmë fluksin e gjakut në ato zona ku ai nuk kalon normalisht ose është i ndërprerë.
