I ftuar në emisionin “Ndryshe” me Elona Duron dhe Salsano Rrapin ka qenë artisti i njohur Yll Limani. Në këtë intervistë ekskluzive në Top Albania Radio ai ka zbuluar shumë detaje jo vetëm sa i përket muzikës, albumit më të ri por edhe nga jeta personale dhe lidhjet. Këngëtari nuk u rezervua aspak me përgjigjet e tij të sinqerta.

Kur ishte pikërisht momenti që Yll Limani kuptoi se muzika ishte rruga e tij për të ndërtuar karrierën?

Kur përfundova studimet në universitet, katër vite studime për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Dy vitet e fundit isha i torturuar sepse nga njëra anë ka qenë dhe ajo ambicia për të pasur një diplomë dhe të bëja veten dhe familjen krenar ishte tepër e madhe. Por nga ana tjetër në çdo ligjëratë, kohë dhe orë muzika sikur më thërriste. E mbaj mend që kur prindërit e mi kanë ardhur në ceremoninë e diplomimit shumë krenarë dhe të lumtur. Babai im shumë optimist, për vete këngëtar,  i kishte bërë të gjitha qejfet dhe muzikën. Kur mbarova ishte shumë optimist për hapin e radhës që çfarë do të ishte.

Më tej ai shtoi se:

E mora dhe ia ka dhënë diplomën duke i thënë: “Kjo është dhurata ime për ty” dhe ndoshta kurrë nuk do të na duhet sepse unë nuk mundem që të mos e provoj që të jap 100% në muzikë. Deri në atë periudhë isha mbrojtur pak që muzikën e kam thjesht për qejf. Pikë së pari ishte ajo frika që duhet t’i thoje vetes që e dua këtë gjë 1oo% që ta bëj dhe është një mal goxha i madh për ta kaluar. Por kur u përballa me atë realitetin e jetës që tani duhet të vendosësh sepse nuk mundesh që të vazhdosh gjysmë këtej dhe gjysmë andej. Ndaje mendjen, dhe i thashë që “Bën që 1 ose 2 vite 100% t’ia jap muzikës”. Brenda vetes e dija që mund të arrija sot këtu ku jam, por duhej ajo puna dhe ai dedikimi 24/7 që unë mendoj se jo vetëm në muzikë por në çdo profesion duhet ta bësh nëse do të jesh i suksesshëm dhe ja ku jemi.