Ish-banorja e “Big Brother VIP 3”, Françeska Murati, e njohur për qëndrimin e rezervuar dhe diskrecionin gjatë eksperiencës së saj televizive, duket se po hap një kapitull të ri në jetën personale.

Pas një periudhe të gjatë aludimesh mbi fundin e martesës së saj, një postim i fundit në rrjetet sociale ka rikthyer sërish vëmendjen e publikut.

Me ardhjen e muajit shkurt, Françeska ka ndarë disa fotografi ku shfaqet brenda makinës, e qeshur dhe plot energji pozitive. Detaji që nuk kaloi pa u vënë re ishte buqeta e madhe me trëndafila rozë në sediljen pranë saj, një simbol që menjëherë nxiti dyshime për një surprizë romantike dhe një fillim të ri sentimental.

Edhe pse ajo nuk ka zbuluar se kush qëndron pas këtij gjesti, mesazhi që shoqëronte postimin ishte mjaft domethënës dhe u interpretua nga ndjekësit si një sinjal i qartë se diçka e re ka hyrë në jetën e saj.

“Kur një derë mbyllet, një tjetër, më e mirë, hapet…”, shkruan Françeska, duke shtuar se ndihet e bekuar për gjithçka që universi i ka sjellë.

Gjatë qëndrimit në shtëpinë e famshme, ajo zgjodhi të mos fliste publikisht për bashkëshortin, duke mbajtur larg kamerave jetën familjare.

Megjithatë, pas përfundimit të formatit, veprimet e saj u panë nga shumë ndjekës si një konfirmim i ndarjes përfundimtare. Shpërngulja në Tiranë së bashku me djalin dhe deklarata e bujshme “ai nuk do të gjejë kurrë më mirë se unë” u kthyen shpejt në tema të nxehta diskutimi në rrjet.

Pa hyrë në detaje konkrete dhe pa bërë deklarata të drejtpërdrejta, Françeska duket se ka vendosur të lërë pas të shkuarën dhe të fokusohet te vetja dhe lumturia e saj. Këtë herë, ndryshe nga më parë, ajo po zgjedh ta shprehë më hapur këtë fazë të re, me buzëqeshje, simbolikë romantike dhe mesazhe që flasin vetë.