Këngëtarja e njohur spanjolle, Rosalía, rrezikon një gjobë prej 600,000 eurosh pas një performance të papritur që shkaktoi bllokim të plotë trafiku në sheshin Callao të Madridit.
Artistja 33-vjeçare kishte paralajmëruar në TikTok një “surprizë” për fansat e saj, në kuadër të prezantimit të kopertinës së re të revistës “LUX”, e cila u shfaq në një ekran gjigant në zemër të qytetit.
Sipas mediave spanjolle, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë Rosalía u detyrua të ndalonte makinën në mes të rrugës për shkak të turmës së madhe dhe më pas vrapoi drejt një hoteli pranë sheshit, ku doli nga një dritare për të përshëndetur fansat e saj të entuziazmuar.
Pamjet nga momenti viralizuan rrjetet sociale, duke detyruar autoritetet të ndërhynin për të rivendosur rendin. Zyrtarët e Bashkisë së Madridit kanë nisur një hetim për të verifikuar nëse ishte marrë leja për zhvillimin e aktivitetit në hapësirë publike.
“Institucionet përkatëse nuk kanë marrë asnjë kërkesë zyrtare për organizim”-deklaroi Borja Carabante, përfaqësues i autoriteteve të transportit, ndërsa nënkryetarja e bashkisë, Inma Sanz, paralajmëroi se nëse konfirmohet mungesa e autorizimit, do të aplikohen gjobat përkatëse.
Policia e Madridit e përshkroi ngjarjen si “plotësisht spontane”, duke pranuar se është dashur të ndjekë informacionet në rrjetet sociale për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa Rosalia nuk ka dhënë ende një reagim publik mbi situatën.