Influencerja britanike kursen 97 mijë dollarë në moshën 24-vjeçare falë një rutine të thjeshtë ditore. Ajo ka arritur të kursejë një shumë të konsiderueshme duke ndjekur një stil jetese tepër ekonomik.
Mia McGrath, vetëm 24 vjeçe, ka arritur të kursejë rreth 97 mijë dollarë dhe synon të arrijë pavarësinë financiare deri në moshën 40-vjeçare. Sipas saj, sekreti qëndron te disiplina dhe shpenzimet minimale një filozofi që nis që nga mëngjesi.
Çdo ditë ajo konsumon një mëngjes që kushton vetëm 65 cent, vezë të përziera mbi gjysmën e një bageli. Ajo shprehet se: “Ha një mëngjes shumë të lirë çdo ditë që të mund të dalë në pension në moshën 40-vjeçare”.
Për të ulur shpenzimet, McGrath jeton ende me prindërit për të shmangur qiranë, blen rroba të përdorura dhe shmang shpenzime të vogla si kafe nga lokalet apo shërbime estetike si manikyri profesional. Ajo punon në sektorin e shitjeve, ndërsa të ardhurat i shton përmes krijimit të përmbajtjes në rrjetet sociale dhe punëve të rastësishme si modele. Çdo muaj investon rreth 1,900 dollarë, një pjesë e të cilave në tregun e aksioneve.
Objektivi i saj afatgjatë është të arrijë një kapital prej rreth 1.6 milionë dollarësh për të siguruar atë që ajo e quan “liri financiare”. Sipas McGrath, sakrificat e sotme do t’i mundësojnë që në moshën 45-vjeçare të mos ketë më nevojë t’i kërkojë leje shefit për pushime.





