Noam Bettan do të përfaqësojë Izraelin në edicionin e 70-të të Festivalit të Këngës në Eurovision, i cili do të mbahet në Vjenë këtë maj. Ai fitoi konkursin “HaKokhav HaBa”. Noam e filloi karrierën e tij muzikore gjatë shërbimit të detyrueshëm ushtarak në IDF dhe tërhoqi vëmendjen e publikut vendas në vitin 2018 pasi fitoi vendin e tretë në konkursin “Aviv”.

Në vitin 2024, publikoi këngën “Pokeach Einayim”, teksti i së cilës u shkrua nga komandanti i IDF-së, Yaron Oree Shay, i cili u vra në një sulm të Hamasit më 7 tetor 2023. Artisti deklaroi se ishte shumë krenar, falënderoi audiencën dhe tha se kishte pasur shumë ulje-ngritje në këtë udhëtim.

“Mesazhi im për Evropën është të përgatitet. Do të sjellim një këngë lavdërimi, do të sjellim gjithçka që kemi. Do të sjellim dritë dhe dashuri dhe do të bashkohemi”, theksoi ndër tjerash. Siç dihet, Islanda, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Spanja u tërhoqën nga Festivali i Këngës në Eurovision sepse Izraelit iu lejua të konkurronte.

Gjysmëfinalja e parë do të mbahet më 12 maj në Wiener Stadthalle. Gjysmëfinalja e dytë është planifikuar për 14 maj. Finalja e këtij konkursi muzikor do të mbahet më 16 maj. Transmetuesi publik austriak ORF ka zbuluar identitetin vizual dhe dizajnin e skenës për Festivalin e Këngës Eurovision 2026. Koncepti i paraqitur bashkon format organike dhe teknologjinë moderne.

Pjesa qendrore e skenës do të dominohet nga një sipërfaqe e madhe LED në formën e një gjetheje të lakuar, e cila do të formojë fokusin kryesor vizual të prodhimit. Dizajni i përgjithshëm rrumbullakoset nga një hark mbresëlënës dhe një strukturë mbështetëse e përpunuar. Gjethja, si një motiv kyç, simbolizon origjinën dhe potencialin, duke përfaqësuar fillime të reja dhe një hapësirë të përbashkët krijuese që feston diversitetin muzikor të Evropës.